ALKIG

REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI VIZITON BASHKËSINË ISLAME TË AUSTRISË

Hevzi Hasani
  • 2. April 2025
  • 0 Comments

Me ftesë të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Austrisë, z. Ümit Vural, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, realizoi një vizitë zyrtare në Bashkësinë Fetare Islame të Austrisë.
Gjatë vizitës së tij, Reisul Ulema u prit nga kryetari i BFI së Austrisë, z. Ümit Vural, myftiu Mustafa Mollaoglu, drejtori për Arsim, z. Binur Mustafi, kryetari i ALKIG-ut, z. Vahidin Beluli dhe kryeimami i ALKIG-ut, z. Emin Limani. Kjo vizitë erdhi si një shenjë e forcimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve, pas vizitës së mëparshme të kryetarit të BFI së Austrisë në RMV, ku u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi.
Gjatë takimit, Reisul Ulema shoqërohej nga shefi i kabinetit, Dr. Abdulkerim Iseni, drejtori për Diasporë, z. Mafiz Rustemi, drejtori për Kulturë dhe Shkencë, z. Musanif Rufati, si dhe drejtori i Sektorit Fetaro-Arsimor, z. Fejzullah Sadiku. Kryetari Vural i informoi mysafirët mbi aktivitetet e BFI së Austrisë, e cila përfaqëson të gjithë myslimanët e vendit, duke përfshirë të gjitha kombësitë. Ai gjithashtu ndau sfidat që përballet komuniteti mysliman në Austri, duke vënë theksin mbi politikat e reja qeveritare, përfshirë edhe propozimet për ndalimin e bartjes së shamisë nga vajzat myslimane deri në moshën 14-vjeçare.
Një pikë e rëndësishme e takimit ishte prezantimi i projektit të “Akademisë së Imamëve”, i cili synon të realizohet në bashkëpunim me Universitetin e Innsbruckut, në udhëheqjen e Prof. Dr. Zekirija Sejdinit. Kryetari Vural kërkoi mbështetje profesionale nga BFI e RMV, duke pasur parasysh eksperiencën e kësaj të fundit në arsimimin e imamëve që nga niveli i Medresesë deri në nivelet më të larta akademike. Të dy drejtuesit e BFI diskutuan edhe mbi bashkëpunimin me Komunitetin Shqiptar Mysliman në Austri, duke vlerësuar lart punën e kryetarit të ALKIG-ut, z. Vahidin Beluli dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Në përfundim të vizitës, z. Vural i dhuroi Reisul Ulemas një fes të veçantë, që dikur bartej nga myslimanët në kohën e Austro-Hungarisë dhe që prodhohej në Austri, si dhe një kupë simbolike me logot e dy Bashkësive Fetare Islame dhe datën e nënshkrimit të Memorandumit të bashkëpunimit. Poashtu edhe Reisul Ulema i dhurojë z. Vuralit një libër me botime të aktiviteteve të BFI të RMV-ut.
Gjatë qëndrimit në Austri, Reisul Ulema vizitoi gjithashtu disa xhemate shqiptare dhe mori pjesë në Iftarin qendror të ALKIG-ut. Ai falënderoi kryetarin e ALKIG-ut dhe bashkëpunëtorët e tij për mikpritjen dhe respektin e treguar. Nga ana e tij, kryetari i ALKIG-ut, z. Vahidin Beluli, shprehu mirënjohje për pjesëmarrjen dhe kontributin e Reisul Ulemas, duke theksuar se prania e tij kishte krijuar një atmosferë të veçantë gjatë muajit të Ramazanit në xhematet shqiptare të Austrisë.